Këto ditë doli nga shtypi libri “Dashuri në shtegtim”, i katërti me radhë, i krijuesit, Muzafer Ramiqi.
Libri në fjalë është botuar nga Shtëpia botuese “Meshari” dhe përbëhet nga 4 kapituj: Rrugët, Ecje, Qëllimi dhe Dashuria.
Stafi i Radio KFOR-it kishte nderin të ishte i pranishëm përgjatë promovimit të librit dhe pati rastin të bisedojë me krijuesin Muzafer Ramiqi për “Dashurin në shtegtim”: “Është kjo dashuria universale, ajo mund të jetë dashuria ndaj partnerit, ndaj prindit, vëllait, motrës, fëmijës, farefisit, vendlindjes, atdheut, fushave, qiellit, botës dhe ajo sublime ndaj jetës. Unë kam synuar që në poezitë e mia secili ta gjej vetveten. Të shkruash për mua është një shkarkim emocional. Kur vjen frymëzimi nuk të pyet as kur e ku dhe vargjet rrjedhin si ujë, vetëm se problemi tash s’po mbajmë lapsa e as notesa me vete, si në kohët e hershme, prandaj me keqardhje ju them se shumë inspirime zhduken ashtu siç vijnë. Për fund, dua t’ ju falënderoj për mundësinë që më keni dhënë për të prezantuar librin tim në valët e Radio KFORit , radios më të dëgjuar”, kështu tha krijuesi Muzafer Ramiqi.
Botimi i librit “Dashuri në shtegtim” bart me vete edhe një bagazh të çmuar të krijimtarisë së Muzafer Ramiqit, ku lexuesit mund t’i kenë në duar edhe tre libra të tjera, librin “Anemia e Kujtimeve” i botuar në vitin 1997 nga Shtëpia botuese “Asdreni”, Shkup, librin tjetër “Mendoj për ty” i botuar në vitin 2003 nga Shtëpia botuese “BUZUKU”, si dhe librin “Portat e heshtjes”, i botuar në vitin 2011 nga Shtëpia botuese “Prishtina Press”.