Planeti Tokë është shtëpia edhe e gjallesave që janë shumë, vërtetë shumë të rrezikshme, të cilat ndonjëherë fshihen në ujëra të qeta, në barin e lartë të savanës apo edhe Brenda ndonjë krijese të vogël që mezi e vëren. Natyra ka një mënyrë të veçantë për të na kujtuar se njeriu nuk është gjithmonë në krye të zinxhirit ushqimor dhe se në vende të ndryshme të planetit, jetojnë kafshë që kanë aftësi të jashtëzakonshme për të gjuajtur dhe për t’u mbrojtur. I hedhim një sy listës së kafshëve më të rrezikshme të planetit:
– I qetë në sipërfaqe dhe pothuajse i padukshëm mes ujit, jo rastësisht krokodili konsiderohet grabitqari që pret në heshtje. Krokodilët, veçanërisht krokodili i ujërave të kripura, gjenden në Australi, Azinë Juglindore dhe në zona të tjera tropikale.
– Me trupin e madh dhe mënyrën e ngadaltë të lëvizjes, hipopotami mund të mos duket si një kafshë që duhet shmangur. Por pamja mund të mashtrojë. Hipopotamët jetojnë kryesisht në Afrikë, pranë lumenjve dhe liqeneve. Ata janë shumë territorialë dhe mund të reagojnë ashpër kur ndihen të kërcënuar.
– Në savanat dhe zonat shkëmbore të Afrikës jeton mamba e zezë. Ai është një nga gjarpërinjtë helmues më të njohur në botë. Ngjyra e trupit nuk është domosdoshmërish e zezë, emri lidhet me pjesën e brendshme të gojës së saj. Kur ndihet e kërcënuar, mund të bëhet shumë e shpejtë dhe agresive në mbrojtje.
– Jo të gjitha kafshët e rrezikshme kanë dhëmbë të mëdhenj apo trup gjigant. Në ujërat e Australisë veriore jeton kandili i detit i njohur si Box Jellyfish një krijesë pothuajse transparente që mund të jetë jashtëzakonisht e rrezikshme. Tentakulat e tij përmbajnë qeliza thumbuese me helm të fuqishëm. Për shkak të transparencës, ai mund të jetë i vështirë për t’u dalluar në ujë.
– Në hapësirat e mëdha të Afrikës, luani mbetet një nga simbolet më të njohura të jetës së egër. Ai jeton në grupe dhe është një grabitqar i fuqishëm, i aftë të ndjekë dhe të rrëzojë kafshë shumë më të mëdha se njeriu. Takimet me njerëzit nuk janë pjesë normale e jetës së luanëve dhe afrimi i pakujdesshëm, sidomos pranë një tufe ose këlyshëve, mund të jetë tepër i rrezikshëm.
– Në dete dhe oqeane të ndryshme të botës, peshkaqeni i bardhë është një nga grabitqarët më të njohur. Ai gjendet veçanërisht në ujërat bregdetare. Fuqia dhe madhësia e këtij grabitqari e bëjnë atë një nga kafshët më të respektuara të oqeanit.
Krahas kësaj liste, natyra ka edhe një tjetër anë, disa nga krijesat më të vogla mund të përbëjnë një kërcënim shumë më të madh. Insekte të caktuara mund të transmetojnë sëmundje te njerëzit, ndërsa disa gjarpërinj, merimanga dhe krijesa detare përdorin helmin si mekanizëm mbrojtës ose për të kapur prenë. Në botën e egër, distanca shpesh është forma më e mirë e sigurisë.







