Tashmë është përmbyllur edicioni i 23-të i Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë, i cili solli program të pasur kulturor e artistik, përfshirë aktivitete të shumta në fushën e artit, kulturës, sportit, trashëgimisë, inxhinierisë, njohurive mbi BE-në si dhe tema të tjera mbi aktualitetin.
Sot (18.10.23), në Sheshin “Adem Jashari” në Ferizaj, mbahet Panairi i Punës, organizuar nga Komuna e Ferizajt në bashkëpunim me Odën Ekonomike në Ferizaj, Shoqatën e Përpunuesve të Drurit në Kosovë, Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe mbështetet nga Qeveria Gjermane përmes GIZ Kosova. Për punëkërkuesit, ky panair është vend i cili ofron informata për mundësitë e punësimit dhe praktikës në punë si dhe informata për trajnime e aftësime profesionale.
Lyra Fest – festivali muzikor për fëmijë, këtë vit shënon 17 vjetorin e themelimit. Me këtë rast, të gjithë kompozitorët dhe fëmijët e moshave nga 5 deri 12 vjeç, ftohen të konkurrojnë në festival me këngë autoriale, të padëgjuara, të pa publikuara dhe me tekste nga bota e fëmijëve. Këngët duhet të jenë të regjistruara në studio dhe te dorëzohen si produksion i finalizuar. Konkursi do të jetë i hapur deri më datën 20 tetor, 2023.
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) do të organizojë edicionin e 3-të të ‘Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Sportiv – Prishtina 2023’, i cili do të mbahet me datat 20 dhe 21 tetor, 2023. Në festival do të shfaqen filma dhe dokumentarë sportivë vendorë dhe ndërkombëtarë të kategorive të ndryshme, si: dokumentar, dokumentar që përfaqësojnë shpirtin olimpik, sporti dhe shoqëria, storie të shkurtra, futboll, sporti malet dhe olimpizmi, etj. Për të gjithë ata që dëshirojnë ti shohin nga afër këta dokumentarë të ndryshëm, hyrja do të jetë falas në zyrat e KOK-ut.
Konferenca më e madhe e muzikës në rajon ‘Prishtina Music Conference’, po vazhdon të shpalos programin e saj për edicionin e ardhshëm që do të mbahet me datat 3 dhe 4 nëntor, në Kino Armata, në qendër të Prishtinës. Pjesë e emrave të shpallur pjesëmarrës, është edhe Elena Ora. Emra tjerë pjesëmarrës të kësaj konference, do të jenë edhe Visar Kuci, multi-intrumentisti i njohur dhe virtuoz i violinës si dhe Rhani Krija, perkusionist me famë botërore që ka performuar dhe ka krijuar me artistët më të mëdhenj botëror, siç janë: STING, Prince, Stevie Wonder, Black Eyed Peas, Mary J Blige, etj.