Java e parë e muajit prill është hapur me ngjarje të shumta kulturore, ku të gjithë ne mund të jemi të pranishëm për ti ndjekur. E cilat janë ato, Radio KFOR-i ka përgatitur për ju disa nga datat e aktiviteteve kulturore:
– Me datat 4 dhe 5 prill, Teatri Kombëtar i Kosovës sjellë shfaqjen “Fausti”, me regji të Fadil Hysaj. Në të dy datat e lartcekura, shfaqja do të vijë në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, me fillim prej orës 20:00.
– Institucioni më i lartë i muzikës në vend, Filharmonia e Kosovës, muajin prill e nis me koncert në qytetin e Gjakovës, nën dirigjimin e Pëllumb Vulës, përderisa soliste e mbrëmjes është Zanë Abazi- flaut. Koncerti do të mbahet me 6 prill, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, prej orës 20:00.
– Për të gjithë ata që e duan muzikën latine, sidmos vallëzimin sensual Tango, që vjen nga Amerika Jugore, nga data 30 maj e deri më 2 qershor, Teatri “Hadi Shehu” në Gjakovë, do të jetë i mbushur me DJ të ndryshëm nga Evropa e Kosova si dhe me instruktorë për të gjithë ata që duan ta mësojnë vallëzimin tango. Regjistrimet e 2nd Kosova Tango Marathoncito, do të jenë të hapura deri më 17 maj 2024.