Teksa po i afrohemi stinës së pranverës, ngjarjet dhe aktivitetet kulturore veç sa vijnë e shtohen. Me këtë rast, Radio KFOR-i përkujdeset për ju, që mos të ju ikin disa nga këto ngjarje:
– Në Teatrin Kombëtar të Kosovës po vjen premiera e radhës. Është shfaqja “Kamarja e Turpit”, që do të shfaqet me datën 19 mars, me fillim prej orës 20:00. Shfaqja ka tematikën se si perandoria osmane do të bëjë çmos që ta zë kokën e krye-rebelit, Ali Pashë Tepelenës, i cili, i ngujuar në kalanë e vet, shpreson se popullin do ta ketë mbrapa.
– Në datën 21 mars, duke filluar nga ora 13:00, do të hapet ekspozita “180 shkallë”, me autor Besart Zhuja. Në këtë ngjarje do të shpalosen disa prej poezive të librit “Ri-zgjohem”, disa poezi të reja e konstalacione artistike, të gjitha të mishëruara në temën “180 shkallë”. Ekspozita do të jetë e hapur nga data 21 mars, për tre ditë, në rrugën Mehmet Ali Vrioni, në Prishtinë.
– Pas kërkesave të shumta për ta pasur sërish shfaqjen komedi “Shef Lumturimi”, Teatri Oda ka bërë të ditur se ka vendosur edhe dy data tjera për ta parë shfaqjen, më 21 dhe 22 mars, për ata që nuk kanë pasur mundësi ta shohin deri më tani. Shfaqja “Shef Lumturimi” që është shkruar nga Lirak Çelaj, tregon historinë e Lumturimit që punon në një Auto Larje të Kosovës dhe vendos që të migroj në Gjermani, për të filluar një jetë të re atje, pasi janë liberalizuar vizat. Por sfidat dhe problemet që kalon dhe kthimi në Kosovë, e bëjnë shumë komike këtë shfaqje. Shfaqja do të filloj nga ora 20:00.