Ngjarje të shumta kulturore po vijnë edhe gjatë këtyre ditëve në vendin tonë dhe Radio KFOR-i ju sjell informacionet se ku dhe kur do të mbahen këto ngjarje kulturore:
– Të premten e 15 marsit, në Teatrin Oda vjen shfaqja e radhës. Do të jetë shfaqja “Arbri” me tekst dhe regji nga Lirak Çelaj, që do të keni mundësi të gjithë për ta parë nga afër. “Arbri” është një shfaqje e shkruar me motive nga filmi “The Father”, të Florian Zeller i cili trajton fatin e një të moshuari që vuan nga demenca dhe dilemat e bijës së tij për tu kujdesur për të. Aktorët që do të luajnë janë: Shkumbin Istrefi, Qëndresa Jashari, Labinot Raci, Daniela Markaj dhe Blend Sadiku. Shfaqja do të filloj nga ora 20:00.
– Po ashtu me 15 mars, Prishtina do të jetë nikoqire e muzikës Rock dhe Death Metal. Në hapësirat e Termokiss-it, me fillim prej orës 20:00, na vijnë performancat e tre grupeve fantastike. Grupi italo-shqiptar “Tomorr”, e themeluar në vitin 2017, do të performojnë para adhuruesve të muzikës metal, për të dhuruar një eksperiencë unike me muzikën e tyre folk-rock. Gjatë kësaj mbrëmjeje do të performojnë edhe bendet vendore si Solar Flare dhe Pathogen. Dy grupe të reja do ti prezantojnë albumet e tyre të reja me ritme të forta thrash.
– Filharmonia e Kosovës ka bërë publike datën e koncertit të radhës që do të do të mbahet në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Me fillim prej orës 20:00, me datën 22 mars, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të sjellë dirigjentin e famshëm polak, Zielinski. Ai vjen në Kosovë për të performuar disa nga veprat më të mëdha të tij dhe të dirigjentëve më të mëdhenj të muzikës klasike. Biletat për të qenë pjesë e këtij koncerti mund ti gjeni në faqen e Filharmonisë së Kosovës.
– Në Pejë, po vjen një sesion special i “Drum Clinic” elektrizues të instrumentit të daulleve, bashkë me anëtarët e Prishtina Drum Festival. Kjo do të jetë një ngjarje unike që bashkon dhe frymëzon entuziastët e daulleve dhe perkusionistët nga i gjithë rajoni. Pavarësisht nëse jeni një daullist me përvojë ose thjesht kurioz për botën e instrumentit të daulleve, kjo ngjarje ofron diçka për të gjithë. Ngjarja organizohet me 23 mars, nga ora 13:00, në Peja Rock School.