Aktivitete të shumta pritet që të mbahen në Kosovë edhe në ditët në vazhdim, e Radio KFOR-i ju sjell sot, disa prej këtyre ngjarjeve kulturore:
– Në Teatrin Oda, të shtunën (02.03.24), me fillim prej orës 20:00, vjen repriza e shfaqjes komedi “Shef Lumturimi”. Pas premierës ku interesimi ishte shumë i madh, shfaqja e shkruar nga Lirak Çelaj, me regji të Florent Mehmetit vjen përsëri, për ta argëtuar publikun kosovar. Kjo shfaqje vjen në 2 vjetorin e themelimit të Teatrit Oda, ku ndër vite ka sjellë shfaqjet më të bukura vendore dhe ndërkombëtare. Në komedinë “Shef Lumturimi” luajnë aktorët: Arbit Zymeri, Besart Sllamniku, Filoreta Bajraktari, Lirak Çelaj dhe Nëntor Fetiu.
– Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë koncertin e parë të muajit mars, me harpisten turke Şirin Pancaroğlu, nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani. E cilësuar nga Washington Post si “talente e madhe e nivelit ndërkombëtar”, Şirin Pancaroğlu është harpiste klasike e trajnuar në Konservatorin e Gjenevës dhe Shkollën e Muzikës Jacob të Universitetit të Indianas. Ajo do të paraqitet në koncert me Orkestrën Harkore të Filharmonisë së Kosovës nën dirigjimin e Edon Ramadanit, më 2 mars (E shtunë), prej orës 20:00 në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
– Grupi që fitoi edicionin e parë të këngës në Kosovë, La Fazani kanë lajmëruar se do ta lansojnë albumin e tyre të ri. Albumi konceptual, i titulluar “Specie Turshi”, i punuar që nga viti 2019, e përmbledhë veprimtarinë krijuese muzikore e lirike të katër viteve të fundit të Arbër Salihut. La Fazani kanë lajmëruar se do të sjellin një koncert të albumit duke lansuar një performancë dhe përvojë të veçantë muzikore, me një ansambël prej shtatë anëtarëve, prej disa emrave më të dalluara të skenës muzikore në Kosovë. Dhe për ta ndjekur të gjithë nga afër lansimin e albumit të ri, mund të jeni pjesëmarrës më 8 mars, nga ora 20:30 në Kino Armata për ti dëgjuar këngët në verzionin live.