Në ditët e fundit të janarit dhe ditët e para të shkurtit, vendi ynë do të jetë nikoqir i shumë ngjarjeve kulturore, ku të gjithë ne, mund ti ndjekim nga afër e Radio KFOR-i ju sjellë disa nga këto ngjarje kulturore:
– Nesër, më 31 janar, nga ora 19:00, në kuadër të projektit “Stories We Tell”, mbështetur nga Smart Balkans, DokuFest vjen në Kino Armata për të shfaqur filmin e nominuar për çmimin ‘Oscar 2024’, në seksionin e dokumentarit më të mirë, i titulluar “The Eternal Memory”. Ky dokumentar emocionues ofron një pamje të thellë në jetën e një çifti të përkushtuar, që përballet me sëmundjen e Alzheimerit. Ky tregim nuk është vetëm një film, por është një rrugëtim emocional që thekson rezistencën e dashurisë në mes sfidave të demencës. Hyrja do të jetë falas për të gjithë.
– Baleti Kombëtar i Kosovës ka filluar provat e shfaqjes së parë për këtë vit, ‘Rebounds. A Basketballet’. Janë dy koreografet gjermanë Friederike Lampert dhe Jochen Roller, me të cilët Baleti Kombëtar i Kosovës ka bashkëpunuar edhe para 7 vitesh për shfaqjen ‘New Born’. Kjo shfaqje ishte shfaqur në Prishtinë, në kryeqytetin e Gjermanisë dhe në Hamburg. Shfaqja ‘Rebounds. A Basketballet’ do ta ketë premierën me datën 15 shkurt dhe përveç në Prishtinë, kjo shfaqje planifikohet të shfaqet edhe jashtë vendit tonë.
– Nga data 8 e deri më 10 shkurt, në qytetin e bukur të Pejës, do të kemi mbrëmje kinematografike. Filmi “My Lake” ose “Liqeni im” do të shfaqet për tre net me radhë, në kinemanë “Jusuf Gërvalla”. Ky film trajton një ngjarje të dhimbshme, rreth trafikimit të njerëzve dhe substancave të paligjshme.