Me qëllim të identifikimit të sfidave, ngecjeve por edhe sukseseve të bashkëpunimit në mes të mediave, institucioneve, shoqërisë civile dhe organizatave të tjera, sot (19 korrik), përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, zhvilluan një takim me gazetarë të mediave të ndryshme të Kosovës, përfshirë edhe Radio KFOR-in, media këto të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm gjatë periudhës së pandemisë.
Në këtë takim i cili u mbajt në selinë e OBSH-së në Prishtinë, u diskutua rreth bashkëpunimit të mediave në Kosovë, me Institucionet përkatëse shëndetësore, duke qenë se ato kanë pasur një rol vendimtar në informimin e duhur të popullatës, që nga koha e paraqitjeve të rasteve të para me Covid-19, thirrjes për vaksinim dhe përditësim të vazhdueshëm të të dhënave me rastet e të infektuarve apo edhe të të vdekurve.
Kujtojmë që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është një agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara, përgjegjëse për shëndetin publik ndërkombëtar dhe është pjesë e Grupit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm.
OBSH-ë vepron edhe në Kosovë, në zyrën e saj me seli në Prishtinë.