Fondacioni Care for Kosovo Kids, që tashmë ka organizuar aktivitete të shumta humanitare, me datën 17 nëntor, në bashkëpunim me klubin ‘Alpin Prishtina’, nga ora 11:00, do të organizojnë një ngjarje bamirësie për fëmijët të cilët po trajtohen në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, të veshur si super-heronjtë e tyre të preferuar.
‘Care for Kosovo Kids’, që nga viti 2013, sigurojnë të gjitha barnat për fëmijët të cilët trajtohen nga kanceri në repartin e Hemato-Onkologjisë në QKUK .
Rreth këtij aktiviteti humanitar, Radio KFOR-i zhvilloi edhe një bisedë me menaxheren e Fondacionit ‘Care for Kosovo Kids’, Edona Toplica, e cila tregoi për qëllimin e këtij organizimi dhe ftoi edhe të tjerët që të bëhen pjesë e kësaj ngjarje humanitare: “Aktivitet të ngjashëm kemi pasur edhe para dy viteve dhe po e bëjmë sërish këtë vit, me Klubin Alpin Prishtina, të cilët pa hezituar edhe këtë herë do të marrin pjesë. Qëllimi kryesor është të gëzojmë këta fëmijë, të cilët shumicën e kohës e kalojnë në spital. Arsyeja tjetër është që të rrisim ndërgjegjësim tek qytetarët, që të japin donacione, në mënyrë që të sigurojmë dy pajisje diagnostikuese, mirëpo shumë të rëndësishme për repartin e Hemato-Onkologjisë në QKUK dhe të sigurojmë barna për fëmijët e sëmurë me kancer.”
‘Care Kosovo Kids’, fton të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të ndihmojnë me aq sa kanë mundësi, për të mundësuar dhe kontribuuar në këtë kauzë humanitare. Detajet e llogarisë bankare të ‘Care for Kosovo Kids’, mund ti gjeni në vegëzën: http://careforkosovokids.com/en/donate/