Në mbarë globin sot (21.05.22), festohet ‘Dita Ndërkombëtare e Çajit’, e caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Kjo ditë shënohet për të promovuar dhe nxitur veprime kolektive, për zbatimin e aktiviteteve në favor të prodhimit dhe konsumit të qëndrueshëm të çajit si dhe për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e tij në luftën kundër urisë dhe varfërisë. Për më tepër, industria e çajit qëndron si sektori kryesor i të ardhurave nga eksporti, për shumë vende të sfiduara ekonomikisht.
Besohet se çaji e ka origjinën në Indinë verilindore, në veri të Mianmarit dhe në Kinën jugperëndimore, por vendi i saktë ku u rrit për herë të parë bima nuk dihet. Çaji ka qenë me ne për një kohë të gjatë dhe ka dëshmi se çaji është konsumuar në Kinë, 5.000 vjet më parë.