Slogani i “Hardh Fest 2022”, i cili fillon sot (02.09.22) dhe do të mbahet për tre ditë me radhë, deri më 4 shtator, titullohet “Ca kokrra rrushi…” dhe i dedikohet poetit të madh, të ndjerë, Xhevdet Bajraj dhe slogani është marrë apo inspiruar nga vargjet e poezisë së tij, “Ca kokrra rrushi të Rahovecit”.
Janë mbi 20 aktivitete të ndryshme që do të zhvillohen në këtë edicion të këtij festivali, duke tejkaluar numrin e aktiviteteve të çdo edicioni tjetër, brenda festivalit.
Festa e Vjeljes së Rrushit “Hardh Fest”, e cila përkrahet nga Komuna e Rahovecit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nga partneri i festivalit Stone Castle vineyards and winery, është një nga manifestimet më të rëndësishëm në komunën e Rahovecit dhe nga më të veçantat në Kosovë, ku përmes këtij manifestimi tradicional, synohet që të promovohen vlerat e rajoneve vreshtare të Kosovës dhe produktet e tyre.