Për më shumë se 25 vjet me radhë, në të dielën e parë të muajit maj, që sivjet i bie dita e sotme 7 maj, mijëra njerëz nga më shumë se 120 vende, mblidhen së bashku dhe festojnë “Ditën Botërore të Buzëqeshjes”.
Për herë të parë, kjo ditë u kremtua në vitin 1998, në një park në qytetin e Mumbait, në Indi, e organizuar nga Dr. Madan Kataria, person ky që themeloi gjithashtu Yoga-n e buzëqeshjes, e cila bazohet në një seri ushtrimesh të lehta, që përfshijnë aktin e të qeshurit, duke mbështetur mirëqenien tonë fizike dhe mendore.
E qeshura e thellë, bën që muskujt tanë të relaksohen, gjë që ndihmon për të përballuar stresin si dhe çliron kimikate që lidhen me ngjarje dhe emocione pozitive. Një gjë e tillë zvogëlon ankthin dhe dhimbjen fizike. Sido që të jetë, nëse e qeshura na ndihmon të përballojmë stresin dhe na bën të ndihemi pozitivë për jetën, atëherë le të vazhdojmë ta bëjmë atë!