Aktiviteti tradicional i lëshuarjes me goma në Lumbardhin e Prizrenit “BunarFest”, u përmbyll dje, duke ofruar për tre ditë me radhë argëtim, muzikë dhe shumë emocione.
E bukura e organizatorëve të këtij aktiviteti, nuk është vetëm organizmi i garës, por është edhe kujdesi i vazhdueshëm që i bëhet natyrës, konkretisht lumenjve, duke i pastruar ato disa herë në vit.
Drejtori i OJQ-së “BunarFest”, Dren Marseli, për Radio KFOR-in tregoi se motoja e këtyre aktiviteteve për këtë vit është “Ruaj, mbroj, festo!”, dhe më tutje shtoi: “Në përgjatë këtyre viteve kemi marrë iniciativë të pastrojmë lumenjtë, në mënyrë që nëpërmjet organizatës sonë të rrisim vetëdijen e qytetarëve për gjendjen e rëndë të lumenjve, në përgjithësi në Kosovë. Me këtë rast, unë dëshirojë t’iu bëjë thirrje të gjitha institucioneve që të jenë më vigjilent për ujërat e Kosovës, sidomos për lumenjtë. Në anën tjetër, qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm që kur të dalin për piknik të mos hedhin mbeturina”.
Për të mbijetuar, të gjithë ne, kemi nevojë për ujë dhe ambient të pastër, prandaj të kujdesemi për to!







