Bukuria madhështore e maleve, ndër shekuj, ka frymëzuar artistë të mëdhenj të fotografisë, të cilët me pasionin e tyre udhëtojnë edhe në shkretëtirë për të kapur pamjet malore që të lënë pa frymë. Për të ditur më shumë rreth fotografisë karshi bukurisë së maleve, Radio KFOR-i kontaktoi fotografin, profesionistin, Arben Llapashtica, i cili me fotografi merret që nga viti 2006, ku dhe ka fituar më shumë se 20 çmime për video dhe fotografi. Kurse, imazhet e shkrepura nga ai, nga syri i një artisti, janë ekspozuar brenda dhe jashtë Kosovës. Fotografi i shumë koncerteve, evenimenteve, monumenteve kulturore si dhe kontribuuesi i pasurimit të inciklopedisë me informata, foto, nga Kosova, ku dhe është shpërblyer disa herë me vendin e parë, sa i përket fotos dhe pasqyrimit të bukurive të maleve, theksoi: “Disa fotografë ëndërrojnë të ngjiten dhe të xhirojnë një mal të veçantë, por në fakt, nuk ju nevojitet një mal i famshëm për të marrë imazhe të mrekullueshme malore. Mund të merrni foto mahnitëse edhe me një mal relativisht të vogël ose të pavëmendshëm. Fotot e bukura mund t’i bëni kudo në Kosovë. Në fotografinë malore është me rëndësi mënyra se si kompozoni një imazh dhe teknikat që përdorni për të fotografuar atë mal apo vend.”
Tashmë e dimë që malet, përveç bukurive që kanë, ato janë të rëndësishme edhe për biodiversitetin e tyre, ujin, ajrin e pastër, kërkimin shkencor, diversitetin kulturor, kohën e lirë, peizazhin dhe vlerat shpirtërore.