Sipas parashikimeve nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, që nga sot pasdite do të kemi ndryshim të motit dhe rënie të temperaturave të përcjellura edhe me reshje bore e shiu.
Ndryshime të tilla të temperaturës sigurisht që nuk janë të mira për trupin e njeriut, e sidomos për pacientët kronikë. Me këtë rast, ekspertët këshillojnë që në ditët në vijim të gjithë pacientët kronikë, dhe jo vetëm, duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje shëndetit të tyre. Kujdes të veçantë këshillohet të kenë pacientët astmatikë dhe pacientët me probleme të zemrës. Gjithashtu, ushqimi duhet të merret në konsideratë. Ata që janë të sëmurë këshillohen të hanë ushqime më të shëndetshme, të lehtë dhe të konsumojnë sa më shumë çajra, ndërsa ata që janë më të shëndetshëm mund të hanë perime, fruta, mish dhe proteina. Nga ana tjetër, njoftohet se Komuna e Prishtinës i ka të kontraktuara kompanitë për mirëmbajtjen e rrugëve urbane e rurale, të cilat do të jenë në terren me të gjitha kapacitetet e tyre, në rast të reshjeve të borës dhe ngricave që do vijnë si pasojë e temperaturave të ulëta.
Duke bërë thirrje për kujdes gjatë vozitjes, ata kanë publikuar edhe numrat e Qendrave të Thirrjeve në rast nevoje: 080012233 dhe 080012244.