‘Dita Ndërkombëtare e Aviacionit Civil’, shënohet çdo vit nga Kombet e Bashkuara me datën 7 dhjetor, për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e aviacionit civil ndërkombëtar dhe për të mësuar për zhvillimin e standardeve ndërkombëtare për sigurinë e aviacionit.
Për nder të kësaj dite, Radio KFOR-i ka zhvilluar një bisedë me zëdhënësin e ‘Agjensisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror’ në Kosovë, Driton Ujkani, nga i cili mësuam se ky vit, për këtë agjensi ishte i mbushur me suksese por edhe me sfida:
“Këtë ditë ‘Agjensioni i Shërbimit Civil’ e feston me shumë zhvillime të reja. Vetëm në muajin Nëntor kemi një dyfishim të trafikut ajror. Edhe aeroporti ndërkombëtar në Prishtinë ka shënuar një rekord tjetër duke shërbyer udhëtarin e 2 miliontë. Kështuqë ka shumë zhvillime të reja si në aspektin e investimeve, duke pasur parasysh edhe problemet e shfrytëzimit të hapësirës ajërore dhe pamundësia për antarësim në organizata ndërkombëtare siç është ‘Organizata ndërkombëtare e aviacionit civil’. Por, me gjithë këto sfida kemi arritur suksese”, tregoi Dritoni.
Fluturimi me avion është një nga mënyrat më të shpejta dhe më të sigurta për të udhëtuar në vende të ndryshme të botës. Përafërsisht çdo ditë në botë fluturojnë mbi 8 milion pasangjerë në destinacione të ndryshme.