“Nuk ka kohë për monotoni, ka kohë për punë dhe kreativitet”, këtë thënie e dëshmojnë dy adoleshente, të cilat masat e rrepta kundër CoViD-19 i shfrytëzuan për t’u bërë shembuj për të gjithë të rinjtë. Nxënëset, Ana Mia Bajrami dhe Tea Firzi, janë personazhet e përzgjedhura të Radio KFOR-it, shembuj që mund të ndiqen nga të rinjtë tanë. ‘Monotoninë’ e qëndrimit në shtëpi, shumë adoleshentë mund ta kenë ‘thyer’ me teknologji, por përjashtim në këtë aspekt bëjnë dy vajzat nga Prishtina, Ana Mia Bajrami, 13 vjeçare dhe Tea Firzi, 12 vjeçare, të cilat kohën e tyre të lirë e shfrytëzojnë duke realizuar aktivitete të ndryshme artistike, e që janë larg nga teknologjia.
Ana Mia përveç se flet 5 gjuhë, ka thyer qysh tani paragjykimin se disa instrumente luhen nga djemtë: “Unë mundohem që dita ime të jetë sa më cilësore, atë zakonisht e kaloj me shoqen time Tean, duke gatuar ushqime të ndryshme, ku shumica e recetave që unë i përdori, janë të bazuara nga filmat e Disney apo i krijoj ve. Gjithashtu e dua shumë muzikën, luaj në piano tash e një kohë të gjatë dhe po ashtu në daulle. Kam dëgjuar që nuk ka shumë vajza që luajnë këtë instrument, prandaj unë kam dashur të sfidoj veten, sepse më pëlqejnë sfidat. Por, unë e dua edhe pikturën dhe aktrimin, ndërkaq veten në të ardhmen e shoh si një aktore.”
Në porosinë e saj për të gjithë të rinjtë, Ana Mia thotë: “Jeni gjithmonë vetvetja dhe bëhuni shembulli që duan ta shohin të tjerët.”
Ndërkohë, Tea, qëndron në të njëjtat ujëra për sa i përket shfrytëzimit të kohës së saj në mënyrë sa më produktive, teksa gërsheton shumë aktivitete: “Unë gjatë ditës fotografoj, vizatoj, lexoj, pikturoj, punoj me argjilë dhe bëj gjimnastikë. Meqenëse mamin e kam artiste, kaloj shumë kohë në atelie të saj, aty ku më erdhi ideja që të realizoj vet vathë dhe unaza prej argjilës, punimi i të cilave nuk është aspak i lehtë. Profesioni që vazhdon të më pëlqej është fotografia dhe në të ardhmen e shoh veten si një fotografe profesioniste që eksploron nëpër botë, duke realizuar fotografi.”
E, duke qenë një vajzë me ‘agjendë’ të ngjeshur të aktiviteteve kreative, Tea, gjithashtu pati një porosi për të gjithë të rinjtë, që të qëndrojnë sa më larg teknologjisë: “Ndiqni ëndrrat tuaja, dilni në natyrë, realizoni fotografi, eksploroni pasionet tuaja, e këtë bëjeni duke qenë të pavarur nga teknologjia, përdorimi i lart i së cilës, veçse po njihet shkencërisht si sëmundje moderne.”
Kreativiteti është mënyra se si fëmijët mësojnë për botën dhe për veten e tyre, ndërsa krijojnë lidhje të forta me të tjerët, lojërat dhe aktivitetet e ndryshme nuk janë vetëm argëtuese, por thelbësore për mirëqenien e fëmijëve. Andaj që ti shpëtojmë fëmijët tanë nga varësia në teknologji, tregojuni atyre shembuj se si bota ka plotë ngjyra e shumë mundësi, të cilat po eksplorohen nga Ana Mia dhe Tea.