‘A Pristine Blind Date’ është punëtoria që ka bërë bashkë 14 studentë të artit nga Zvicra dhe 14 studentë nga Kosova, me qëllim që për një javë të punojnë dhe të jetojnë së bashku, pa e njohur njëri-tjetrin. Studentët e artit nga Zvicra që po qëndrojnë në Prishtinë, së bashku me studentët e artit të Prishtinës, po realizojnë punëtorinë ‘A Pristine Blind Date’, që është një eksplorim i punëve të përbashkëta, si mënyrë alternative e të mësuarit dhe miqësisë ndër-kulturore mes vendeve.
Bashkëpunimi i tyre do të kulmojë me ekspozitë dhe ngjarje artistike që do zhvillohen nëpër qytetin e Prishtinës këtë të shtunë, më 23 shkurt. Kjo ngjarje me fillim nga ora 17:00 do të zhvillohet në ambientin ‘Motrat’, pastaj nga ora 18:00 në Kino ARMATA, nga ora 19:00 në LambdaLambdaLambda dhe do të përmbyllet në Termokiss nga ora 20:30.