Çdo të premte të fundit të muajit nëntor, shënohet “Black Friday” apo “E premtja e zezë”, ditë e shumëpritur e zbritjeve dhe ofertave të mëdha për blerësit anembanë botës, por edhe tek ne në Kosovë. Si çdo vit tjetër, dyqanet dhe platformat online do të ofrojnë ulje të mëdha në produkte të ndryshme, duke përfshirë veshje, pajisje elektronike, produkte për shtëpi dhe shumë më tepër.
“Black Friday” e ka zanafillën e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe daton nga viti 1869, në ditën kur rënia e çmimeve të arit shkaktoi përplasje tregu, efektet e të cilit u ndjenë nga ekonomia amerikane për vite me radhë. Termi ‘E premte e Zezë’ apo ‘Black Friday’ është përdorur për herë të parë nga policia e Filadelfias, pasi pikërisht në ditën e premte, policia ishte e irrituar me bllokimin e trafikut me orë të gjata, të shkaktuar nga blerësit, një ditë pas ‘Ditës së Falënderimeve’.
Më vonë, kuptimi i “Black Friday” mori një konotacion pozitiv në botën e biznesit, duke iu referuar ditës kur shumë biznese fillojnë të regjistrojnë fitime të larta, pasi çmimet e ulëta sjellin një vëllim të madh shitjesh. Kjo ditë u bë një traditë vjetore e zbritjeve të mëdha në Shtetet e Bashkuara dhe gjatë dekadave të fundit, popullariteti i saj është përhapur në shumë vende të tjera, përfshirë edhe Evropën por edh Kosovën.
Shumë dyqane lokale kanë njoftuar zbritje që arrijnë deri në 70% për produktet e tyre, ndërsa shitjet online ofrojnë lehtësi për ata që duan të përfitojnë nga ofertat pa dalë nga shtëpia.
Ekspertët e konsumit këshillojnë blerësit të bëjnë kujdes dhe të planifikojnë blerjet e tyre për të përfituar maksimalisht nga zbritjet si dhe me patjetër të verifikoni çmimet për të shmangur manipulimet. “Black Friday” është një mundësi ideale për të përgatitur dhuratat e festave që po afrohen, duke kombinuar çmimet e ulëta dhe mundësinë për të kursyer.
Oferta me çmime të përgjysmuara po bëhen viteve të fundit edhe në vendin tonë, kështu që sot, nëse nuk dilni për blerje nëpër dyqane, atëherë ju preferohet që të mos dilni me veturë, në mënyrë që ti ikni trafikut të dendur.







