Udhëheqësi redaktorial dhe i teknologjisë në rrjetin global të tregimtarëve mobilë “Hashtag Our Stories”, Yusuf Omar po vazhdon promovimin e gazetarisë mobile nëpër botë.
Këtë të enjte (29 gusht), ai do të vijë në Kosovë, në një bisedë publike dhe masterklasë për krijimin e lajmeve nëpërmjet telefonave mobilë, në një event të organizuar nga Revista “Kosovo 2.0”.
Biseda publike me Yusuf Omar do të nisë në ora 18:00, më 29 gusht, ndërsa masterklasa do të mbahet të nesërmen (30 gusht), nga ora 10:00 deri në orën 14:00, në Hub 2.0.
Për Yusuf Omarin, gazetaria mobile do të thotë xhirim, montim dhe prodhim i lajmit me telefon të mençur. Në një TEDx Talk në vitin 2017, ai kishte thënë se dokumentimi i ngjarjeve dhe fenomeneve të cilat ia vlejnë të transmetohen në lajme nëpërmjet telefonave të mençur është mënyra e gjeneratës sonë për të komunikuar me botën.
Omar tregon se si gazetaria mund të jetë njëkohësisht inovative, personale dhe intime. Ai beson se ky është një stil krejtësisht i ri prej të cilit mund të mësojmë të gjithë dhe të cilin mund ta përdorim në jetën tonë të përditshme, edhe nëse nuk jemi gazetarë profesionistë.
Për gati një dekadë, Yusuf Omar e ka përdorur telefonin e tij të mençur për të raportuar për ngjarjet e mëdha prej vendeve të ndryshme të botës, përfshirë këtu luftën në Siri. Ai ka punuar si një ndër gazetarët kryesorë për çështje sociale në CNN International (Mbretëri e Bashkuar), si redaktor në Hindustan Times (Indi) dhe si korrespondent i huaj në eNCA (Afrikë e Jugut).
Të interesuarit për të marrë pjesë në masterklasë, fillimisht duhet të regjistrohen në Revistën “Kosovo 2.0”.