Çdo vit, më 3 qershor, shënojmë “Ditën Botërore të Biçikletave”, e shpallur nga Kombet e Bashkuara në vitin 2018, me qëllim të promovimit të biçikletës, si një mjet i thjeshtë transporti, por njëkohësisht ekonomik, ekologjik dhe i shëndetshëm. Biçikleta është shpikur në fillim të shekullit XIX dhe sot përllogaritet se janë në përdorim mbi 1 miliard, në të gjithë botën. Sa i përket shëndetit, është vërtetuar që përdorimi i biçikletës për vetëm 30 minuta në ditë, ndihmon në përmirësimin e shëndetit kardiovaskular, reduktimin e stresit dhe përmirësimin e mirëqenies psikologjike. Duke njohur të mirat që na i sjell përdorimi i saj “Ditën Botërore të Biçikletës”, bota e kremton me aktivitete të ndryshme, si ngjarje për promovimin e biçikletës si mjet transporti i qëndrueshëm, pastaj aktivitete që kërkojnë rritjen e sigurisë për shtigjet rrugore për çiklistët si dhe fushata ndërgjegjësuese për përfitimet e përdorimit të biçikletës.







