Sot (27 prill), mysafire në studion e Radio KFOR-it, në kuadër të fushatës ‘High Tech K4’, ishte Shefja Ekzekutive e Akademisë “jCoders”, znj. Besarta Muhaxheri, e cila tregoi se çfarë konkretisht ofron kjo akademi. Përgjatë shpjegimeve të shumta, znj. Besarta tregoi se Akademia “jCoders” është një institucion i cili ofron trajnime për nxënësit e moshave nga 7 deri në 18 vjeç, të cilët ekspozohen ndaj formave të ndryshme të krijimit të teknologjisë, duke u përqendruar në projekte të thelluara dhe praktike, në mënyrë që të përgatiten për suksese të mëtutjeshme në karrierë.
Më tutje, duke iu referuar edhe emërtimit të Akademisë “jCoders”, Besarta shpjegoi se çka është kodimi: “Kodimi është një kombinim i matematikes në bashkëpunim me logjikën. Nëse ne brezave të ardhshme u mësojmë kodimin, do ua ofrojmë një të ardhme shumë të ndritshme. Ne, vazhdimisht jemi duke shkuar në digjitalizim, prandaj i rekomandoj prindërit që t’i orientojnë fëmijët e tyre në teknologji, sepse tashmë teknologjia është si një alfabet, të cilin duhet ta mësojnë për të ditur se çka donë saktësisht në të ardhmen.”
Akademia “jCoders” ndodhet në 5 qendra të Kosovës: në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë, Gjilan dhe Prizren. Për informata shtesë, mund të vizitoni faqen: www.j-coders.com