‘European Summer School 2018’, është shkollë verore e cila organizohet për herë të pestë nga ‘European Young Cell Alumni Kosova’, në bashkëpunimin me projektin ‘Young Cell Scheme’ dhe Universitetin e Prishtinës, në datat 17 shtator deri me 19 shtator.
Çdo vit kjo shkollë verore trajton tema aktuale dhe zhvillimet e fundit në Bashkimin Evropian. Këtë vit, temë kryesore do të jetë: “Brexit, zgjerimi i BE-së dhe bashkëpunimi Rajonal në Ballkanin Perëndimor: Sfidat dhe prespektiva”.
Presidentja e bordit të organizatës ‘European Young Cell Alumni Kosova’, Alba Boshnjaku, për Radio KFOR-in tregoi detaje rreth programit të kësaj shkolle: “Programi i shkollës verore është në gjuhën angleze dhe target janë të gjithë studentët e universiteteve publike dhe private, të cilët ndjekin studimet në vitin e II, III dhe IV të nivelit bachelor apo vitin e I dhe II të nivelit master. Shkolla do të organizohet nga data 17-19 shtator 2018, në hapësirat e Universitetit të Prishtinës. Krahas profesorëve dhe ligjëruesve vendor, të ftuar janë edhe profesorë me renome ndërkombëtare nga LSE (London School of Economics) dhe Universiteti i Leuvenit”, tregoi Alba.
Studentët e interesuar duhet të plotësojnë formën e aplikimit të cilën mund ta shkarkojnë nga web-faqja e Universtitetit të Prishtinës dhe të dërgojnë CV-në, një letër motivimi dhe dëshminë e statusit të tyre studentor. Dokumentet duhet të dërgohen në eycakosova@gmail.com deri më datën 4 shtator 2018.
Linkun e aplikacionit mund ta shkarkoni në: https://uni-pr.edu/page.aspx?id=1,4,437