Pavarësisht moshës, gjinisë, përkatësisë fetare, etnike apo nacionalitetit, sporti i ragbit ka bashkuar të gjitha gratë përmes aktiviteteve të ndryshme që vazhdimisht po i organizon klubi i vetëm në Kosovë i ragbit për femra, “Qikat”.
Ky klub është krijuar në vitin 2017 dhe përfshinë edhe vajza apo gra që asnjëherë më parë në jetën e tyre nuk kanë luajtur ragbi, por që përfshirjen e tyre në këtë klub e cilësojnë si tejet të veçantë dhe domethënës për jetën e tyre.
Njëra nga anëtaret e këtij klubi, Saranda Rexha, në një prononcim për Radio KFOR-in njoftoi se se përmes këtyre aktiviteteve, jo vetëm që i bëjnë mirë shëndetit të tyre, por edhe aspektit njerëzor, për shkak të miqësisë që krijojnë me vajza dhe gra të komuniteteve të ndryshme.
Ndërsa, themeluesja e klubit “Qikat”, Bronwyn Jones, në një prononcim për Radio KFOR-in na tregoi më shumë rreth idesë së krijimit të këtij klubi dhe aktiviteve që zhvillon ky klub në Kosovë dhe jasht saj.
“Klubi jonë përbëhet nga 25 gra dhe vajza të nacionaliteteve të ndryshme, me shumicë kosovare, por ne jemi të hapura edhe ndaj refugjateve, prandaj në klub kemi të përfshira edhe gra refugjate me të vetmin qëllim, mos diskriminimin e askujt”, tha për radion KFOR-in, Jones.
Ajo poashtu na njoftoi që në këtë klub mund të përfshihen të gjitha vajzat apo gratë e interesuara për një aktiviet të veçantë sportiv, por edhe për të krijuar miqësi të reja.
“Do të zhvillojmë aktivitete, çdo të shtunë, në ora 16:00, të cilat mbahen në Matiqan, tek “Prishtina High School”, në Prishtinë. Nuk është e nevojshme që të jenë profesioniste të këtij sporti. Këtu jemi për tu bërë bashkë, për tu argëtuar dhe për të qëndruar në formë”, përfundoi Bronwyn Jones.
Në Kosovë, ragbi është një sport jo shumë i njohur, meqenëse sporti i futbollit, i volejbollit apo i basketbollit dominojnë më shumë, qoftë nga meshkujt por edhe nga femrat.
Më shumë hollësi kuptoni në vegzën e mëposhtme: