Kosova njihet si një vend shumetnik, me një shoqëri të hapur që përqafon diversitetin e saj etnik dhe kulturor. Një shembull i tillë konkret është bashkëpunimi dhe shoqërimi i zotëri Ekrem Merovcit dhe Dejan Milic, të cilët ndajnë një zyrë së bashku.
“Përveç punës zyrtare, ne jemi edhe miq të mire”, kështu tha për Radio KFOR-in, Koordinatori Komunal për Kthim dhe riatdhesim në Komunën e Vushtrrisë, Ekrem Merovci dhe ndër të tjera shtoi: “Marrëdhënia jonë si kolegë është shumë e mirë. Nuk ka kurrfarë dallimi pse këta janë serb apo unë shqiptar, askush nuk mund ta vërej këtë, sepse ne gjatë gjithë kohës jemi bashkë, dalim bashkë për kafe. E vizitojmë njëri -tjetrin edhe në familje. Unë mendoj se jemi një ndër komunat me tolerancë shumë të mirë ndëretnike, e mund të jetë shembull edhe për komunat e tjera. Me këtë rast unë u bëj thirrje gjithë qytetarëve, pa marr parasysh dallimet etnike, t‘i lënë anash dallimet dhe të punojnë së bashku, për hir të së ardhmes së fëmijëve tanë, që ata ta kenë një jetë më të dinjitetshme sesa që e kishim ne.”
Për një bashkëpunim të mirë ndëretnik foli edhe zotëri Dejan Milic, punonjës administrativ i Zyrës për Kthim dhe riatdhesim në Komunën e Vushtrrisë, ku për 13 vite me radhë bashkëpunon me sukses me pjesëtarët e komuniteteve tjera: “Kam vetëm fjalë lavdërimi për kolegët dhe bashkëqytetarët e mi. Edhe pse e kuptoj shumë mirë gjuhën shqipe, nuk e flas mirë, por kjo nuk është problem për mua, sepse gjithmonë takoj kolegët e mi, jo vetëm unë por edhe serbët e tjerë që vijnë këtu. Ne të gjithë duhet të përpiqemi të ndërtojmë besim, respekt dhe ne mund ta bëjmë këtë, duke komunikuar dhe organizuar ngjarje dhe harmoni shumetnike.”
Duke pranuar dhe respektuar diversitetin etnik dhe kulturor, ne krijojmë një shoqëri të përparuar!