Në shumë vende të botës ‘Dita Botërore e Veganëve’, festohet çdo vit me datën 1 nëntor. Kjo ditë nuk i kushtohet vetëm veganëve, por në ‘Ditën Botërore të Veganëve’, njerëzit diskutojnë dhe punojnë për të rritur ndërgjegjësimin për shumë çështje me të cilat bota po përballet në lidhje me furnizimin tonë me ushqim dhe ndikimin e tij në mjedis. Kjo ditë fillimisht u shënua në vitin 1944, nga një grup njerëzish të cilët filluan një lëvizje për të mos konsumuar produkte të mishit dhe bylmetit, që ndryshe njihet me termin ‘Vegan’. Rreth kësaj dite Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me Rina Fetahaj nga Prishtina, e cila tash e disa kohë praktikon këtë stil të jetës dhe të ushqyerit si vegan: “Përfitimet e të qenurit vegan janë të shumta dhe do ti ndaja në tre aspekte. E para, në aspektin shëndetësor sepse duke mos konsumuar produkte të që vijnë nga kafshët eliminon marrjen e yndyrave dhe zvogëlojmë kolesterolin në gjak dhe mundësitë për të pasur sëmundje kardiovaskulare. Pastaj vjen aspekti ambiental, sepse industria e qumështit dhe mishit janë ndotës të mëdhenj në ambient dhe pjesa etike, që të mos i mbysim kafshët për ushqim. Prandaj, do ti inkurajoja njerëzit ta sfidojmë vetën të paktën edhe për një ditë të konsumojmë produkte vegane apo të zvogëlojnë përdorimin e mishit dhe produkteve të bylmetit.”
Të qenurit vegan na bën më të shëndetshëm pasi dieta ushqimore është më e pasur me vitamina dhe minerale, të cilat i marrim nga pemët dhe perimet që ndihmojnë të kemi një shëndet më të mirë.