Dalëngadalë po i afrohemi shtatorit dhe ju e dini se krahas fillimit të shkollës, në shtator vjen edhe numri më i ri i revistës ‘4You Magazine’. Si gjithmonë, redaksia e kësaj reviste ka punuar pandërprerë për të sjellë pranë jush, tema tejet interesante dhe intervista ekskluzive nga të preferuarit tuaj.
Menaxherja e revistës ‘4You Magazine’, znj. Leonora Shabanaj Nikshiq, për Radio KFOR-in, ka treguar se në këtë edicion, në rubrikën ‘Music Box’, mund të lexoni intervistën ekskluzive me këngëtaren, Evi Reçi. Duke qenë se në shtator fillon edhe viti i ri shkollor, në rubrikën ‘Lifestyle’, do të gjeni një artikull me këshilla praktike, se si mund ta ktheni një vit të gjatë të punës së zellshme, në një vit argëtues. Në fakt, mund të themi se një pjesë e mirë e këtij numri, i kushtohet kthimit në shkolla. Rrjedhimisht, në rubrikën DIY (Do It Yourself – Bëjeni Vet), mund të mësoni si ta punoni vet një mbajtëse për lapsat tuaj. Po ashtu, në rubrikën ‘Mendimi i Juaj Për…’, ju mund t’i lexoni mendimet e disa prej bashkëmoshatarëve tuaj, për pritjet e tyre për vitin e ri shkollor. Një artikull tjetër që ua rekomandojmë ta lexoni, është për raporti ndërmjet pritjeve dhe realitetit për adoleshentët dhe domethënien e këtij raporti, për mirëqenien e tyre.
Menaxherja e revistës ‘4You Magazine’, znj. Shabanaj-Nikshiq, rekomandon që ti shikoni me kujdes edhe temat sociale që janë shtjelluar në faqet gjashtë, dymbëdhjetë dhe njëzetekatër. Në këta tre artikuj, mund të mësoni më shumë për rëndësinë e tolerancës ndëretnike, për sigurinë në trafik si dhe do të mund t’i lexoni intervistat ekskluzive, me dy vullnetarë nga qyteti i Mitrovicës, të cilët angazhohen pa pushim, për të mirën e komuniteteve ku ata jetojnë.
Këto janë vetëm disa prej temave interesante që mund t’i lexoni në këtë numër të revistës ‘4You Magazine’. Shfletojeni atë dhe padyshim do të gjeni shumë materiale të tjera interesante, nga të cilat do të mësoni por, me të cilat edhe do të argëtoheni deri në botimin e numrit të ri, në muajin tetor.