Edhe ky numër i ri i revistës ‘4You Magazine’, do të ju rrëmbejë me shkrime fantastike, intervista dhe rubrika të veçuara. Si gjithmonë, redaksia e kësaj reviste ka punuar pandërprerë, për të sjellë pranë jush tema tejet interesante dhe intervista ekskluzive, nga të preferuarit tuaj. Menaxherja e revistës ‘4You Magazine’, znj. Leonora Shabanaj Nikshiq, për Radio KFOR-in, ka treguar se në edicionin e muajit prill, në rubrikën ‘Music Box’, mund të mësoni më shumë për karrierën e pasur të këngëtares me prejardhje shqiptare, me famë botërore, Ava Max.
Në rubrikën ‘Shkolla e Muajit’, ekipi i ‘4You Magazine’, ka vizituar SHFMU “Tre Dëshmoret”, Vrajakë-Bratotin, në komunën e Rahovecit. Bashkë me revistën ‘4You Magazine’, edhe këtë muaj do të udhëtoni nëpër botë, në parqet më argëtuese të botës, ashtu sikurse do të kuptoni më shumë për festivalin e Kanës. Në rubrikën e sportit dhe shëndetit, do të mësoni më shumë për të mirat shëndetësore që sjell sporti, ndërsa ithtarët e teknologjisë, do të mësojnë më shumë për atë që ka pushtuar botën për momentin, ChatGPT.
Po ashtu, në rubrikën ‘Mendimi i Juaj Për…’, ju mund t’i lexoni mendimet e qytetarëve për sekretet apo të fshehurat e tyre. Përmes rubrikës ‘Did You Know’, do ta zgjeroni diapazonin tuaj për shumë gjëra që mund të mos i keni ditur, ndërsa adoleshentët do të kenë mundësinë që të kuptojnë arsyet e panumërta për të udhëtuar drejt ëndrrave të tyre.
Këto janë vetëm disa prej temave interesante që mund t’i lexoni në këtë numër të revistës ‘4You Magazine’. Shfletojeni atë dhe padyshim do të gjeni shumë materiale të tjera interesante, nga të cilat do të mësoni por, me të cilat edhe do të argëtoheni deri në botimin e numrit të ri, në muajin prill.