Kursimi i energjisë elektrike në shtëpi është shumë i rëndësishëm, prandaj banori i fshatit Morinë, komuna e Skënderajit, Avdulla Mziu mund të jetë një shembull shumë i mirë, se si mund të kursejmë rrymën elektrike, duke i shfrytëzuar rrezet e diellit përmes paneleve solare.
Zotëri Mziu, për Radio KFOR-in, tregoi: “Përpjekja ime gjithmonë ka qenë se si t’i shmangem djegieve fosile, si të pavarësohem nga rryma elektrike, duke shfrytëzuar rrezet e diellit. Jam fokusuar në energjinë termike të nxehtësisë, sepse shpenzimet e mëdha janë në nxehtësi, të tjerat pajisje nuk shpenzojnë rrymë edhe aq shumë. Sistemin që unë e kam krijuar e ngroh komplet shtëpinë, 100 metra katror, ngroh muret e brendshme dhe nivelizimin, nën dysheme. Unë përmes Radio KFOR-it jap mesazh, që të gjithë, të fokusohen sa më shumë në energjinë e gjelbër, e cila është ardhmëria e njerëzimit dhe mbrojtja e ambientit. Dhe mos harroni, se edhe dielli është i yni dhe mundemi ta shfrytëzojmë për të krijuar rrymë elektrike!, tha zotëri Mziu.
Nëse jeni duke kërkuar mënyra për të kursyer energjinë elektrike, fillimisht duhet të zbuloni se sa energji elektrike përdorni në të vërtetë. Ruajtja dhe përdormi racional i energjisë elektrike hyn tek kultura e përgjithshme!