“Eshkë Dashnie/Glimmer of Love”, quhet ekspozita e parë e artistes së veçantë, Gresa Islami, e cila do të hapet sonte (06.05.19), në ora 20:30, në Europe House, e njohur më parë si Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së .
Për jetësimin e kësaj ekspozite, Gresa ka punuar një kohë të gjatë, meqenëse arti të cilin ajo e kultivon, kërkon proces më të gjatë realizimi të veprave përkatëse.
Se cilat janë emocionet e saj përsa i përket ekspozitës respektive, na tregon vet artistja Gresa Islami:
“Kryefjala e kësaj ekspozite është devijueshmëria, e cila ndahet në tri cikle, me idenë në prapavijë, që çdo gjë vepron rreth boshtit të vet dhe ndërvepron me të tjerët. Të gjitha veprat e mia janë të realizuara në teknikën rraku dhe naked rraku, proces shumë i bukur por njëkohësisht edhe shumë sfidues” , tha për Radio KFOR-in, artistja Islami.
Për këtë veprimtari të cilën tash e 5 vite e ushtron dhe për realizimin e ekspozitës së saj, Gresa i është mirënjohëse asaj që i ka dhënë krahë dhe frymë ëndrrës së saj, prof. Mira Kuçukut.