Një adresë e re e artit në Prishtinë, i është shtuar të gjithë artdashësve. Galeria ‘IWS BXH’, është galeria më e re në kryeqytet, e artistit të njohur të akuarelit, Besnik Xhemaili. Kjo galeri është inauguruar më 21 shtator, me një ekspozitë të veçantë, në të cilën janë prezantuar punimet e 120 artistëve nga vende të ndryshme të botës.
Kjo galeri në Prishtinë, përveç artistëve të njohur vendor e ndërkombëtar, do të bëhet adresë edhe për të rinj të moshave të ndryshme, thotë për Radio KFOR-in, pronari i saj, Besnik Xhemaili: “Planifikoj të fokusohem edhe te gjeneratat e reja, nga 3-4 vjeç deri në 14-15 vjeç, sepse kjo është koha më e mirë kur dikush nëse ka veç pak talent, mundet me u zhvillu edhe me arrit shumë në vizatim, në teknikën e akuarelit apo teknikës. Mirëpo, ekspozita e dytë do të ketë diku rreth 80 punime të grafikave, në teknikën e litografisë. Pas kësaj, shpresoj se do të realizohet edhe ekspozita e tretë, për të cilën do të ftoj disa nga kolegët e mi, me të cilët kemi përfunduar Akademinë e Arteve dhe do t’i shfaqim punimet tona në një ekspozitë të përbashkët.””.
Artisti Xhemaili, përmes frekuencave të Radio KFOR-it, pati një mesazh për të gjithë, mesazh të cilin e përçon edhe vetë arti: “Arti me të vërtet bashkon të gjitha kulturat dhe të gjitha kombet. Motoja e Shoqatës Ndërkombëtare të Akuarelit është që të shpërndajmë sa më shumë respekt njerëzor. Së pari te kemi anën njerëzore, pastaj atë profesionale. Unë kam edhe një mesazh për audiencën, që të merremi sa më shumë me art dhe kulturë, sepse janë shtyllë e rëndësishme për zhvillimin e shoqërisë.”