KFOR po vazhdon të kryejë projekte të shumta që janë thelbësore për mirëqenien e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Në kuadër të këtyre projekteve të shumta dhe ndihmës së vazhdueshme që bën KFOR-i në përmirësimin dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, sot (24.09.20), Bashkëpunimi Civilo-Ushtarak (CIMIC) i KFOR-it dhuruan pajisje fitnesi për anëtarët e shoqatës ‘Autizmi’ në Prishtinë. Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe zëvendëskomandanti i Komandës Rajonale të Lindjes-KFOR, Koloneli, Noel Hoback. Ai në një prononcim për Radio KFOR-in, tregoi më shumë për këtë donacion të radhës dhe shprehu kënaqësinë që misioni i KFOR-it ndihmon në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës: “Donacioni që dhuruam sot përfshinë pajisje të edukimit fizik për këtë shkollë që punon me fëmijë me autizëm, e cila përbën një pjesë të popullatës që është jashtëzakonisht e ndjeshme. Ky donacion do t’i ndihmojë ata të bëjnë punë më të mirë dhe të përmirësojnë punën që bëjnë. Fëmijët janë gjenerata e së ardhmes edhe nëse ata janë autikë apo nëse funksionojnë në nivelet më të larta. Stabiliteti i Kosovës është i rëndësishëm për misionin e KFOR-it dhe i rëndësishëm për të gjithë ne dhe kjo do të stabilizojë komunitetin dhe në veçanti komunitetin e fëmijëve autikë, në mënyrë që ata të funksionojnë më mirë në shoqëri. Ky donacion ka qenë një mundësi e shkëlqyer për të ardhur dhe për të parë nga afër punën që ata bëjnë dhe gjithashtu të ndihmojmë në punën e tyre edhe më shumë me këtë donacion”.
Drejtoresha e shoqatës ‘Autizmi’, Sunita Kurti, shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e saj për këtë donacion shumë të rëndësishëm për shoqatën e tyre: “Sot kemi përfituar disa pajisje fitnesi, një trakë vrapimi, biçikletë dhe mjete të tjera të nevojshme që do t’i shfrytëzojmë si shoqatë, për të ndihmuar në fuqizimin dhe zhvillimin e tyre motorik, në mënyrë që ata të jenë sa më të aftë të kryejnë detyrat e tyre të përditshme. Ky donacion është i një vlere shumë të madhe, pasi që çdo kujdes që marrim nga të tjerët na bën më të fuqishëm në misionin që kemi nisur për të ndihmuar personat me nevoja të veçanta dhe e falënderoj shumë KFOR-in për këtë donacion që do të na ndihmojë shumë në punën tonë të përditshme”.
Përmes donacioneve të shumta, Misioni i KFOR-it në Kosovë, përveç sigurimit të një mjedisi qetë dhe të sigurt për të gjithë që jetojnë në Kosovë, ata gjithashtu dëshmojnë përkushtimin dhe ndihmën e tyre bujare në shumë procese zhvillimore në Kosovë.