Momente interesante dhe ngjarje të cilat i ka përjetuar piktori dhe fotografi Alban Nuhiu, ka vendosur t’i ndajë me të tjerët përmes një ekspozite që do të hapet në ambientet e fondacionit ‘Shtatëmbëdhjetë’ në Prishtinë, këtë të enjte, duke filluar nga ora 19:00.
Alban Nuhiu njihet si piktor, fotograf dhe kinematograf i cili përmes kësaj ekspozite do të paraqesë copëza të jetës së përditshme.
Në një bisedë për Radio KFOR-in, menaxherja për komunikim në fondacionin ‘Shtatëmbëdhjetë’, Sihana Klisurica, tregoi më shumë se çfarë përmban ekspozita e Albanit:
“Formati i këtij programi është digjital, ku përmes projektorit do të prezantohen fotografi, video dhe punime të tjera. Albani në këtë ekspozitë do të prezantojë një përmbledhje të fotografive. Janë fotografi bardh e zi që dokumentojnë jetën e përditshme dhe që trajtojnë çështjet sociale. Po ashtu, do të jetë edhe një video eksperimentale që vë në pah anën artistike dhe krijimtarinë e piktorit”.
Më tutje Sihana tregoi se fondacioni ‘Shtatëmbëdhjetë’, ka krijuar një program mujor që përfshin 8 ngjarje të ndryshme, duke përfshirë të rinjtë nga të gjitha nacionalitetet në Kosovë.