Tina Turner, ndryshe e njohur edhe si ‘Mbretëresha e rock & roll-it’, ka fituar shumë çmime Grammy, me qindra këngë të publikuara, që u kthyen në hite në gjithë botën. Ajo ka shitur mbi 100 milion kopje të albumeve të saj, kjo është arsyeja pse është cilësuar si “një nga këngëtaret më të mëdha të të gjitha kohërave”, nga revista Rolling Stones.
Tina Turner vërtetë mund të konsiderohet një nga artistët me jetën më të vështirë. Ajo u rrit nga gjyshërit e saj, pasi që prindërit e braktisën atë dhe motrën e saj, por kjo nuk e ndaloi dhe bashkë me Ike Turner, nisën rrugëtimin e gjatë drejt suksesit. Në vitin 1974, Turner lansoi albumin e saj të parë solo ‘Tina Turns the Country On’. Albumi ishte mirëpritur nga fansat dhe kritikët muzikor duke u nominua për ‘Vokalin më të mirë në zhanrin R&B’, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Grammy. Në vitin 1986, ajo lansoi edhe një album të suksesshëm ‘Break Every Rule’, që u shit në mbi 12 milion kopje. Në këtë vit të suksesshëm për këngëtaren, ajo publikoi edhe albumin e radhës të titulluar ‘I, Tina’ dhe u vlerësua me një yll në bulevardin e famshëm të Hollywood-it.
Këngëtarja bëri histori me paraqitjen e saj me këngëtarin Paul McCartney, para një audience të madhe në stadiumin ‘Maracana’, në Rio de Janeiro, në vitin 1988. Ky koncert hyri në librin e rekordeve ‘Guinness’, për audiencën më të madhe të publikut në ndonjë koncert. Artistja Tina Turner, ishte bërë nënë kur ishte 18 vjeçare dhe në vitin 1986 ajo u martua me muzikantin Erwin Bach, me të cilin u nda në vitin 2013.