Me datën 22 shtator në Kompleksin e Vali Ranch në Gjilan, do të realizohen dy koncerte, Festivali mbarëkombëtar “Mollëkuqet”, edicioni i pestë, ku me këtë rast do të performojnë 37 fëmijë nga vendi dhe rajoni, mosha e të cilëve është nga 5 deri në 14 vjeç.
Ndërsa, në po atë atë ditë në të njëjtin vend, do të mbahet edhe Festivali Ndërkombëtar i këndimit live “Rising Stars”, ku do të këndojnë 55 garues nga vendi dhe bota.
Garuesit do të ndahen në katër kategori: kategoria XS që përfshinë pjesëmarrësit e moshave nga 6 në 10 vjeç; kategoria S që përfshinë fëmijët nga mosha 11 deri në 14 vjeç; kategoria M që përfshinë pjesëmarrësit e moshës 15 deri në 18 vjeç dhe kategoria L që përfshinë fëmijët e moshës nga 18 në 22 vjeç. Edicioni i parë i këtij festivali live e ka edhe natën e dytë, e cila do të mbahet në Teatrin e Qytetit të Gjilanit. Për të mësuar më shumë rreth këtyre festivaleve, Radio KFOR-i kontaktoi Drejtoreshën gjenerale dhe artistike të dy festivaleve të lartpërmendura, zonjën Arta Haziri- Nuhiu:
“Më 22 shtator në orën 12 fillon Festivali “Mollëkuqet” e cila do të zgjasë deri në 15:30, ku do të ndahen edhe çmimet. Janë çmime të ndryshme: vendi i tretë, i dyti, i pari, çmimi i publikut, çmimi special, kompozimi më i mirë, orkestrimi më i mirë, deputanti më i mirë, solisti më i mirë, çmimi i kompozitorit Selman Vokshi, çmimi më i mirë i kompozitorit Xhevat Ismaili, dueti më i mirë, mikrofoni i artë dhe disa çmime të tjera. Pas ndarjes së çmimeve një orë e gjysmë është pauza, e më pas në orën 17:00 në të njëjtin vend, në të njëjtën skenë fillon Festivali Internacional, d.m.th live. Në natën e parë secili shtet do të prezantohet me këngë në gjuhën e tyre amtare. Më 23 shtator në Teatrin e Qytetit të Gjilanit do të mbahet finalja, gala e Festivalit Ndërkombëtar, “Risign Stars”.
Për dallim nga Festivali Mbarëkombëtar “Mollëkuqet”, Festivali Ndërkombëtar i këndimit live “Rising Stars”, do të ketë më pak çmime, ato do të ndahen në bazë të kategorive, vendi i katërt, i tretë, i dytë dhe çmimi i parë.