Qendra “Termokiss” në Prishtinë, e cila ka për mision këmbimin urban, civil, reflektimin dhe ndryshimin, vazhdon me realizimin e aktivitete të dobishme për shoqërinë në përgjithësi dhe rininë në veçanti.
Sot (12 shtator), ndryshe nga të mërkurat tjera ku mbledhjet javore mbahen brenda komunitetit aktiv të kësaj qendre, kësaj rradhe takimi do të hapet edhe për të tjerët që dëshirojnë të jenë më pranë ekipit të Termokiss-it.
Koordinatorja në Termokiss, Eljesa Beka, fton të gjithë njerëzit që dëshirojnë të shohin se si funksionon ky grup i të rinjve brenda qendrës, të shkojnë e ta vizitojnë atë.
“Me qëllim të transparencës, ne ftojmë të gjithë ata të rinj e të reja që kanë ide kreative për ndonjë aktivitet të caktuar, të cilat padyshim mund të jetësohen në qendrën tonë”, tha për Radio KFOR-in Eljesa.
Të gjithë të interesuarit për tu bërë pjesë e Qendrës “Termokiss”, mund të regjistrohen si vullnetarë, duke u bërë kësisoj pjesë përbërëse e aktiviteteve që vazhdimisht i realizon kjo qendër.