Më 24 janar, bota shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Arsimit’, një iniciativë e Kombeve të Bashkuara për të theksuar rëndësinë e arsimimit, si një e drejtë themelore dhe një forcë transformuese për zhvillimin e shoqërive. Kjo ditë u vendos nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, në vitin 2018, për të promovuar rolin kyç të arsimit në ndërtimin e paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Tema e këtij viti është “Investimi në Arsim, Investim në të Ardhmen”, duke u fokusuar në rëndësinë e financimit të duhur dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë, pavarësisht nga sfondet sociale apo ekonomike.
Në një kohë kur shumë vende ende përballen me sfida të mëdha në qasjen dhe cilësinë e arsimit ‘Dita Ndërkombëtare e Arsimit’, synon të ndërgjegjësojë publikun global për nevojën urgjente për të përmirësuar sistemet arsimore, veçanërisht në vendet në zhvillim. Sipas UNESCO-s, mbi 244 milionë fëmijë dhe të rinj në mbarë botën vazhdojnë të mbeten jashtë shkollave, duke theksuar pabarazitë ekzistuese që pengojnë progresin arsimor global.
‘Dita Ndërkombëtare e Arsimit’ na kujton, se arsimi nuk është vetëm një mjet për zhvillim personal, por një bazament për ndërtimin e një bote më të drejtë, më të barabartë dhe më paqësore për të gjithë.