“Arsimimi është pasaporta për të ardhmen, sepse e nesërmja u përket atyre që përgatiten për të, sot” kështu ka thënë aktivisti për të drejtat e njeriut, Malcolm X. Duke njohur rëndësinë individuale e shoqërore që ka arsimimi, data e sotme, 24 janar, i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Arsimimit”. Në këtë ditë, Radio KFOR-i ka intervistuar Drejtoreshën e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët, “Andon Zako Çajupi” në Mitrovicë, znj, Melihate Meha, e cila vuri në pah rëndësinë e jashtëzakonshme që ka arsimimi, në ndërtimin e shoqërive përparimtare: “Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër e grurë. Nëse kërkon që të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim e kulturë”, thënie nga Sami Frashëri dhe për mua kjo është ndër thëniet që përkufizon më së miri rëndësinë që ka arsimimi, në ngritjen dhe emancipimin e shoqërisë. Arsimi është themel nga i cili vijnë zhvillimi dhe përparimi i një shoqërie. Arsimi prodhon njerëz të civilizuar dhe të edukuar në shoqëri, të cilët falë arsimimit, kontribuojnë në shoqëri në fusha të ndryshme, e mbi të gjitha arsimimi na bënë të kuptojmë se sa e vlefshme është të jetosh në një komunitet të qëndrueshëm dhe të sigurt. Një arsimim i mirë, e bën një individ të zhvillohet personalisht, socialisht dhe ekonomikisht dhe përmes tij arrijmë çelësin e suksesit dhe përparimit të një shoqërie e cila investon në edukim, zhvillohet dhe përparon.”
Referuar publikimit “Statistikat e Arsimit, 2020/2021” nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), numri i fëmijëve në çerdhe dhe parashkollorë ishte mbi 31 mijë, i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ishte mbi 229 mijë, numri i nxënësve në arsimin e mesëm të lartë ishte mbi 74 mijë, ndërsa numri i përgjithshëm i nxënësve në arsimin special ishte 307 nxënës.
Sipas të njëjtit raport, del se numri i përgjithshëm i studentëve në arsimin universitar në vitet 2020/2021, ishte mbi 95 mijë.