Në vazhdën e shënimit të 23 vjetorit, të misionit paqeruajtës të KFOR-it, në Kosovë, Radio KFOR-i, si njëri prej vlerave kruciale të këtij misioni, përmes kampanjës #23YearsKFOR, po vazhdon t’i njoftoj dëgjuesit edhe me ekipin civil, punonjës në KFOR, që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të japin kontributin e tyre në këtë mision paqeruajtës.
Kësaj here, i ftuar special në emisionin e mëngjesit, në Radio KFOR, ishte Menaxher i Burimeve Njerëzore për Stafin Civil të KFOR-it, z. Arian Ballanca, i cili përgjatë bisedës së zhvilluar në studio, me moderatorët Linën dhe Ardin, u kthye në retrospektivë, duke shpalosur momentet më të spikatura të karrierës së tij profesionale, në KFOR, përfshirë momentet e para të punësimit të tij, në këtë Institucion: “Siç e dimë të gjithë, trupat e KFOR-it kanë hyrë në Kosovë, më 12 qershor, përderisa mua më ka kontraktuar KFOR-i një ditë më herët, që i bie me 11 qershor dhe e kujtoj si sot, çdo detaj kur kemi hyrë me forcat britanike, nga Shkupi. Ne kemi qenë autokolona e parë që ka hyrë në Kosovë, tanku i 11-të më saktësisht dhe nuk do t’i harroj kurrë ato momente mbresëlënëse për mua, njerëz të lumtur, me fytyra të buzëqeshura, të cilët na dhuronin lule, që për mua mbesin lulet me aromën më të bukur ndonjëherë. Prej atij momenti, unë vazhdoj të jem pjesë e Misionit të KFOR-it, i cili shquhet për nga vlerat e larta njerëzore, para së gjithash, duke më përmbushur çdo ditë e më shumë. Kam filluar punën si përkthyes, duke vazhduar të ofroj kontributin tim tek Burimet Njerëzore, ku edhe sot vazhdoj të jem në shërbim të të gjithë kolegëve, në mënyrë që të krijojmë kushte sa më të mira të punës”, tha z. Ballanca.
Ai po ashtu ndau edhe disa këshilla profesionale, nga rrafshi i Burimeve Njerëzore, për të gjitha kompanitë që tashmë janë në treg ose që pretendojnë të hyjnë në treg: “Punëdhënësi më së shumti duhet të investojnë në faktorin njeri, në mënyrë që të rinjtë të mos ikin jashtë, por të investojnë në ta, përmes trajnimeve të ndryshme profesionale, pra të koncentrohen në aspektin njerëzor dhe në aftësitë njerëzore, përfshirë komunikimin, para së gjithash, të investohet që të mësohen edhe rregullat e Bon-Ton-it. E nënvizoj, nuk ka investim të tepruar ose të gabuar në njerëz’’, përfundoi mes tjerash, Menaxheri i Burimeve Njerëzore, në KFOR. z. Arian Ballanca.