“Edhe në ëndrrat më të bukura, njeriu nuk mund t’ia kalojë natyrës”, është një nga qindra e mijëra thëniet që është e shkruar, por mund edhe të ndjehet vetëm kur dalim në natyrë. Natyra është e të gjithëve dhe duhet shijuar nga të gjithë, pavarësisht se çfarë profesioni mund të keni, duhet patjetër që të gjeni kohë dhe të realizoni ecje në natyrë. Se profesioni nuk ka rëndësi dhe se natyra na pret të gjithëve, në çdo kohë, e dëshmon për Radio KFOR-in, Arbenita Pajaziti e cila është farmaciste nga Gjilani: “Bjeshkët janë shumë të bukura, janë bukuri që ne duhet t’i shohim e t’i shijojmë. Unë me profesion jam farmaciste dhe vij nga Gjilani, por as profesioni as regjioni ku jetoj nuk më kanë dhënë mundësi që të shoh bjeshkën, por unë kam nisur ecjen si fillestare, dhe ajo çka bjeshka më ka dhënë mua, është një plotësim. Prandaj, një gjë të tillë mund ta bëjnë të gjithë. Nëse shkojmë në palestra të ushtrimeve kalojmë një orë ose dy dhe mërzitemi e në bjeshkë nuk mërzitemi asnjëherë, dhe ke mundësi që t’i shijosh pamjet mahnitëse që veç natyra di të falë”.
Arbenita, e cila filloi me ecje, disa vite më parë, sot është në mesin e 32 personave që i janë bashkuar ekspeditës së Klubit “Alpin Prishtina”, në ngjitjen e “Mont Blanc”. Në intervistën e dhënë për Radio KFOR-in znj. Pajaziti tregoi se qysh nga shpallja e ekspeditës, ajo është duke bërë përgatitje: “Unë i jam bashkuar Klubit “Alpin Prishtina” disa herë në ecjet dhe ekspeditat që i kanë pasur gjatë këtij viti, dhe viteve të kaluara. Për shembull, vitin e kaluar, kemi qenë në ekspeditë në ngjitjen e majës më të lartë në Ballkan, “Musalla” pastaj kam qenë edhe në ngjitjen në “Olimp”. Këtë vit Klubi “Alpin Prishtina” ka shpallë ekspeditën për ngjitjen në “Mont Blanc”, që është maja me lartë ne Evropën Perëndimore. Shpallja është bërë në janar të këtij viti, i jam bashkuar kësaj ekspedite dhe nga janari deri më tani, në vazhdimësi, kemi bërë përgatitje brenda dhe jashtë Kosovës. E gjitha kjo në shërbim të përgatitjes tonë, në mënyrë që sa më lehtë ta përballojmë ngjitjen në “Mont Blanc.”