Udhëtimet nga një vend në vendin tjetër, nganjëherë mund të jenë të mërzitshme kur udhëtoni vet. Duke u munduar që pasagjeri dhe shoferi të ndjejnë rehati, të kenë pak shpenzime e më shumë shoqëri, aplikacioni ‘Udhë’, ka gërshetuar të gjitha këto e madje ju kursen edhe kohën.
Për të kuptuar më shumë rreth këtij projekti, Radio KFOR-i ka intervistuar themeluesin e aplikacionit ‘Udhë’, z. Eroll Gorçi, i cili ndër të tjera tregoi se si i lindi ideja për këtë aplikacion: “Aplikacioni ‘Udhë’, është krijuar si nevojë personale që e kemi pasur ne kur kemi udhëtuar nga qyteti në qytet, sepse kemi hasur në vështirësi në udhëtim ose me për me gjet alternativa tjera përveç formave standarde dhe kështu na lindi ideja. Pse mos me e nda më dikë një udhëtim që veç është duke e bërë një rrugë, në të cilën ka me udhëtua edhe dikush tjetër?! Me këtë formë, përfitimet janë të mëdha si për shoferin ashtu edhe për udhëtarin. Për shoferin është ndihmesë nga ana financiare, pasi për shembull, ai mund ta bëjë çdo ditë të njëjtën rrugë nga vendi në vend, për të shkuar në punë dhe kur merr persona të tjerë në makinë, e ndihmojnë atë me shpenzime, ndërsa nga ana e udhëtarit përfitimet janë komforti i udhëtimit, shoqërimi dhe shumë herë edhe çmimi më i ulët se sa udhëtimi me format standarde të udhëtimit.”
Aplikacioni ‘Udhë’, është lansuar në muajin shkurt të vitit 2021, e padyshim është një nga krijimet që gërsheton kreativitetin dhe inovacionin. Kur jemi tek këto të dyja, pikërisht sot, më 21 prill shënohet edhe “Dita Ndërkombëtare e Kreativitetit dhe Inovacionit”, për rëndësinë e së cilës z. Eroll Gorçi, tha: “Kreativiteti është një prej pikave kyçe e cila ndihmon me u zhvillu inovacioni me hapat, me të cilët po zhvillohet teknologjia ditëve të sotme. Pra, problemi është gjetja e zgjidhjeve kreative që neve na ndihmojnë që të ofrojmë inovacion në çfarëdolloj industrie.”
“Dita Botërore e Kreativitetit dhe Inovacionit”, shënohet që nga viti 2002 në më shumë se 46 vende të botës.