Pianisti i mirënjohur kosovar i cili është prezantuar dhe është shpërblyer me çmime të para dhe kryesore në disa gara brenda dhe jashtë vendit, Andi Duraku do të mbaj Recital Pianistik, me datën 9 janar, në Sallën Koncertale të Fakultetit të Arteve, në Prishtinë, nga ora 13:00, për të vazhduar tutje, me datën 17 janar, në Gjakovë, ndërsa me datën 29 janar do të prezantohet në Bon të Gjermanisë.
Pikërisht për këtë Radio KFOR-i kontaktoi pianistin Andi Durakun, i cili tregoi për Recitalet Pianistike të tij, duke u fokusuar më shumë tek performanca në Gjermani: “Në Gjermani muzika klasike është muzika kryesore dhe e veçanta e këtij koncerti është që mbahet në Bon, vendlindjen e kompozitorit Beethoven, dhe e veçanta tjetër është se ky vit po shënon 250 vjetorin e lindjes së tij, gjë që e bën më të veçantë paraqitjen time atje.”
Në Gjermani Andi do të paraqitet për herë të dytë. Ai tregoi se në vitin 2017 atje ishte paraqitur në një audicion, në skenën kryesore të muzikës klasike në botë, në sallën kryesore të Filharmonisë së Berlinit, të cilën e kishte shijuar pa masë.