Amy Winehouse, këngëtarja e famshme angleze e lindur në vitin 1983, në Londër, që fatkeqësisht vdiq në vitin 2011, duke lënë pas një karrierë të suksesshme dhe krijime artistike që vlerësohen nga mijëra fansa në të gjithë botën. Këngëtarja dhe kantautorja e famshme, fituese e shumë çmimeve Grammy, me albumin e saj të famshëm ‘Back to Black’, të vitit 2006, për shkak të shpirtit të saj rrebelues dhe abuzimit me alkoolin shumë shpesh përveç suksesit të saj, ajo zinte ballinat e gazetave në gjithë botën edhe për skandale.
Amy Winehouse, kishte lindur nga një familje çifutësh dhe ishte rritur e vetme nga nëna e saj, e cila ishte farmaciste dhe e divorcuar nga bashkëshorti, kur këngëtarja ishte vetëm nëntë vjeçare. Që nga fëmijëria Amy Winehouse, kishte dëshmuar interesimin dhe pasion për artin. Me shpirtin rrebelues dhe guximin e saj, ajo ishte përjashtuar nga shkolla Sylvia Young, pasi që kishte thyer etikën e veshjes.
Derisa ndiqte mësimet në shkollën prestigjioze Brit, në Angli, Winehouse filloi të performoj si aktore dhe këngëtare me një grup muzikor të zhanrit jazz. Gjithë pasionin dhe përkushtimin e dashurinë e saj për muzikën ajo e shfaqi në albumin e saj debutues ‘Frank’, të publikuar në vitin 2003, që ishte edhe pikënisja e karrierës së saj të shkurtë por shumë të suksesshme.
Në vitin 2008, këngëtarja ishte vlerësuar si këngëtarja me albumet më të shitura në zhanrin pop/rock në ceremoninë ‘World Music Awards’. Edhe me gjithë këto suksese ndërkombëtare, Winehouse nuk arrinte të mbante jetën e saj në kontroll. Edhe pse Winehouse, shkoi në një qendër rehabilituese nuk arriti të menaxhonte varësinë e saj nga alkooli dhe droga. Në këtë kohë të vështirë për këngëtaren ajo edhe u divorcua nga bashkëshorti i saj në vitin 2009 dhe pas dy vitesh a jo humbi betejën e saj me varësinë nga alkooli dhe droga, duke na lënë përgjithmonë në vitin 2011, kur edhe ndërroi jetë.
Amy Winehouse këngëtarja që vetëm për disa vite arriti të përjetojë një jetë të mbushur me vlerësime, famë dhe çmime të shumta të fituara. Ajo do të jetoj me ne përgjithmonë nëpërmes këngëve dhe krijimeve artistike që la pas.