Alergjitë shfaqen kur sistemi ynë imunitar reagon ndaj ndonjë substance të panjohur dhe në këtë mënyrë fillon të prodhojë antitrupa për tu mbrojtur nga alergji të ndryshme që përfshijnë polenin, pluhurin apo alergjitë që shkaktohen nga ushqime të ndryshme.
Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me Alergolog/Imunolog, Dukagjin Zogaj, i cili tregoi se kur mund të shfaqen alergjitë gjatë vitit dhe se si të kujdesemi gjatë kësaj kohe: “Alergjitë mund të shfaqen në sezona të ndryshme. Kemi alergji sezonale dhe gjithë vjetore. Alergjitë sezonale janë alergji që paraqiten në një sezonë të caktuar. Polenet për shembull mund të paraqiten që nga muaji shkurt, jo vetëm në stinën e pranverës pastaj edhe disa polene të tjera që shfaqen nga fundi i verës dhe fillimi i vjeshtës. Simptomat e alergjive përafërsisht janë të njëjta sikur të një gripi, e ato janë: teshtima, kruarja e hundës, sy të skuqur, lotim, prandaj edhe mund të ngatërrohet me gripin. Por bazuar në studimet Evropiane të alergologjisë, kemi arritur në përfundim që kjo sëmundje ka një ecuri të vetën dhe pacientët mund të kenë ftohje të shpeshta. Alergjitë ushqimore zakonisht manifestohen me skuqje në lëkurë dhe zakonisht shfaqen më moshë më të hershme.”
Pasi jemi në sezonin e polenit, Dr. Zogaj, këshilloi të gjithë që kanë alergji në polen, që mos të dalin jashtë shtëpisë prej orës 12 deri në ora 17:00, sepse në këtë kohë poleni hyn më shpejtë në rrugët e frymëmarrjes dhe shkakton telashe. Po ashtu, rrobat duhet të thahen brenda shtëpive dhe dritaret ku flini, duhet të jenë të mbyllura.
Po ashtu, personat të cilët kanë alergji duhet të marrin vaksinat që njihen si terapi parasezonale, sepse këto vaksina ndihmojnë në rritje e imunitetit.