Aktivitetet multietnike në Kosovë, janë të rëndësishme dhe ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie të përbashkët dhe të qëndrueshme. Shumë organizata dhe projekte synojnë të ndihmojnë në përmirësimin e dialogut dhe bashkëjetesës ndëretnike si dhe të promovojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin midis komuniteteve të ndryshme, të cilat jetojnë në Kosovë.
Lidhur me organizimin e këtyre aktiviteteve shumetnike, Radio KFOR-i kontaktoi znj. Zana Arapi-Xheladini, menaxhere e projektit “How do I see you”, i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila tha: “Projekti në fjalë ka qenë i planifikuar për vite, por meqë ka filluar në mars të vitit 2020, në kohën e pandemisë, neve na kanë tepruar disa fonde. Pas aprovimit nga Bashkimi Evropian kemi vendosur të vazhdojmë këtë projekt edhe 9 muaj të tjerë, e që i bie të përfundojë në dhjetor të këtij viti. Në total i kemi pasur katër kampe ndërkulturore, ku në kuadër të këtyre kampeve janë zhvilluar edhe katër ekspozita, respektivisht në ‘DokuFest’ dhe në ‘Slobodna Zona’. Me zgjatjen e projektit, jemi duke planifikuar të mbajmë një cikël të kampit, në shtator, me 8 ditë të kuruara, pastaj zhvillohen dy cikle të ekspozitave, njëra në nëntor, në ‘Sloboda Zona’ dhe ekspozitën përmbyllëse jemi duke planifikuar për ta mbajtur në Prishtinë”, tha ndër të tjera znj. Arapi-Xheladini.
Znj. Zana, gjithashtu theksoi se të rinjtë kanë nevojë për organizime të tilla dhe se takimi i të rinjve që përbëhej nga komunitete të ndryshme, vlerësohet nga të rinjtë dhe ata edhe më tutje mbajnë kontaktet mes vete: “Jemi duke e vërejtur që ende kanë kontakte, hala vazhdojnë të bisedojnë me njëri-tjetrin, si shoqëri. Shumicën e tyre i kam edhe miq në Instagram dhe i shoh që të rinjtë nganjëherë vijnë nga Beogradi në Prishtinë ose këta shkojnë nga Prishtina në Beograd.”
Organizimi i aktiviteteve shumetnike, ndihmon në forcimin e harmonisë ndëretnike, krijon një të ardhme më të mirë për të gjithë dhe është thelbësore për zhvillimin e një shoqërie të qëndrueshme.