Festa e ‘frikshme’ sot e ka ditën e saj. Data 31 tetor, i është ndarë shënimit të Hallowen-it dhe në këtë ditë, gjithandej botës organizohen dhjetëra e qindra aktivitete. Edhe në vendin tonë, janë planifikuar disa aktivitete, të cilat në fokus kanë dëfrimin e më të vegjëlve. Është Rock School Prishtina – Defy Them, që do të organizojë festën e Halloween / Maskenball, për fëmijë “Shtojzovallet”. Për të kuptuar më shumë, Radio KFOR-i ka kontaktuar koordinatoren e Defy Them, znj. Dhuratë Mavraj, e cila tha: “Me datën 31 tetor, po mundohemi ta bëjmë një festë për të gjithë fëmijët, kjo për shkak të Halloween-it, festës të cilës po mundohemi me ju përshtatë, duke sjellë aktivitete të shumta në këtë ditë. Festa e Halloween / Maskenball për Fëmijë “Shtojzovallet”, do të fillojë nga ora 17:00 deri në ora 21:30. Do të ketë muzikë, lojëra, vizatim dhe aktivitete tjera. Hyrja është 3€ dhe në këtë çmim përfshihen tre kuponë, që mund të përdorën për aktivitetet e planifikuara si dhe hyrja e fëmijëve lejohet vetëm me prindër ose përcjellje nga të rriturit.”
Për shënimin e Halloween-it edhe kinemaja Cineplexx në të dy qendrat, në Prishtinë dhe Prizren, ka organizuar shfaqje të filmave të zhanrit horror. Sot (31 tetor), prej orës 17:00, do të shfaqen 4 filma horror, në orare të ndryshme deri në mesnatë. Kinemaja është kujdesur për çmime promovuese për cilindo prej 4 filmave horror, që janë në program: ‘Prey for the Devil’, ‘Smile’, ‘Halloween Ends’ dhe filmi horror shqiptar ‘Kthetrat e Shqiponjës’.
Ndryshe festa e Halloween, daton para 2 mijë vitesh. Kjo festë ishte krijuar nga keltët të cilët jetonin në Irlandë e në Britani të Madhe dhe festohej në fillim të muajit nëntor, me emrin Samhain, derisa tani festohet pikërisht në datën e sotme, me 31 tetor.