Pavarësisht se vitin 2020, e kaluam me vështirësi për shkak të pandemisë, megjithatë KFOR-i realizoi projekte të shumta, të cilat kanë në thelb mirëqenien e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Një ndër aktivitetet që vlen të theksohet është organizimi i video-konferencës me temën “Gratë, Paqja dhe Siguria në Kosovë”, ku më 7 tetor, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO, ka shënuar 20 vjetorin e Rezolutës 13/25, të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për ‘Gratë, Paqen dhe Sigurinë’. Në video-konferencë ishin 20 folës, nga institucione dhe organizata ndërkombëtare e vendore dhe aty u prezantuan edhe fushatat që ekipi i Radio KFOR-it ka realizuar ndër vite, për promovimin e të drejtave të grave dhe fuqizimin e tyre.
Bashkëjetesa dhe bashkëpunimi i fortë në mes të komuniteteve të ndryshme në Kosovë u tregua edhe përmes disa projekteve, që realizoi Radio KFOR-i, përgjatë këtij viti. Aktiviteti që vlen të veçohet është “Radio Show në Brezovicë” që u realizua në bashkëpunim me Magazinën 4U, më 29 shkurt. Të rinj të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, u bashkuan këtë ditë, duke kërcyer, duke dëgjuar muzikë si dhe duke shijuar lojën shpërblyese.
Edhe përgjatë vitit 2021, qëllimi i Radio KFOR-it mbetet bashkëjetesa dhe bashkëpunimi i të gjitha komuniteteve në Kosovë. Le ta fillojmë vitin 2021 me rrugëtime të reja, për të qenë edhe më afër dëgjuesve.