Përgjatë këtyre ditëve na presin aktivitete të shumta kulturore, dhe si gjithmonë Radio K4 sjell tek ju disa prej ngjarjeve më interesantë kulturore që mund t’i ndiqni.
Këtë të premte (08.04.2022), nga ora 18:30, hapet ekspozita e artistes së njohur turke, Gamze Siriner. E lindur në Ankara dhe e diplomuar në Fakultetin e Arteve të Bukura të Universitetit Hacettepe, ajo ka një mënyrë të veçantë të të shprehurit në pikturën njëngjyrëshe, që shkëputet në mënyrë drastike nga kompozimi klasik. Ekspozita do të mbahet në hapësirat e MONET Art and Books dhe është e hapur për të gjithë artdashësit.
Në kuadër të festivalit “ReMusica” do të keni mundësi të ndiqni shumë aktivitete, e një ndër to është edhe “ISOLATION MUSIC” që do të zë vend në Teatrin ODA, të shtunën nga ora 21:00. “ISOLATION MUSICA” sjell tek publiku kompozitorin, Mehmet Can OZER e gjithashtu i ftuar do të jetë edhe kompozitori i njohur, Ilir Bajri.
Edicioni i 21-të i Festivalit “ReMusica”, “The sound of change” këtë vit trajton temën e ndryshimeve klimatike dhe bën thirrje për të rritur ndërgjegjësimin tek publiku për veprim klimatik.