Prishtina po vazhdon që të jetë nikoqire e ngjarjeve të shumta kulturore dhe në ditët në vazhdim ngjarjet kulturore do të kenë një ‘agjendë’ të ngjeshur. Duke filluar nga data e sotme (17.10), TonyDrumStudio, organizon koncertin e 9-të, me titull “Albanian 90’s”, me qëllim promovimin e bateristëve të rinj. Këngët e vjetra do të rikthehen në versione moderne, mirëpo duke e ruajtur origjinalitetin e tyre. Koncerti do të nisë në orën 19:00 në teatrin Oda.
Nesër (18.10), nga ora 19:30, në Teatrin e Qytetit të Prishtinës, në Dodona, do të shfaqet premiera teatrore “Top Girls”, bashkë produksion i Artpolis me teatrin Dodona. Shfaqja “Top Girls”, realizohet në kuadër të projektit “HumanRightivism”, implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar – CDF, përkrahur nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë.
Ndërkohë me datën 22 tetor, në ambientet e Innovation Centre Kosovo, duke filluar nga ora 12:00, do të mbahet formati ‘Azure Meet Up Munich’, për të folur për kompaninë Microsoft. Ngjarja do të sjellë në Prishtinë, emra të mëdhenj të botës teknologjike. Përveç punonjësit të Microsoft-it, Markus Klein, si i ftuar special, aty folës do të jenë edhe punonjësit në CloudAstro.